Një incident është regjistruar mbrëmjen e sotme pranë godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku dera e institucionit dyshohet se është goditur me një pistoletë që lëshon zara metalikë.
Sipas informacioneve paraprake, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e policisë, të cilët kanë nisur veprimet hetimore për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti.
Deri në këto momente nuk dihet se kush qëndron pas goditjes së derës së Kryeministrisë, ndërsa nuk ka asnjë informacion zyrtar që ta lidhë ngjarjen me protestën qytetare që po zhvillohet prej 14 ditësh në Tiranë.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se hetuesit po kryejnë këqyrjen e zonës dhe po mbledhin prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit apo autorëve të mundshëm.
Ndërkohë, pritet që Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar detajet e incidentit dhe rezultatet paraprake të hetimeve.