Vetëm dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku një qen u shtyp me makinë, një tjetër rast i rëndë është denoncuar këtë herë në Kuçovë, ku një qen endacak është përplasur nga një automjet duke i kaluar sipër.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, drejtuesi i mjetit i ka kaluar sipër kafshës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndaluar për t’i dhënë ndihmë.
Qeni më pas është gjetur në gjendje të rëndë nga disa dashamirës të kafshëve, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për ta transportuar dhe për t’i ofruar ndihmën e nevojshme veterinare. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve, plagët e marra kanë rezultuar tepër të rënda dhe qeni nuk ka arritur të mbijetojë.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Kuçovës, të identifikojë drejtuesin e automjetit dhe të marrë masat e nevojshme ligjore, pasi mosvënia e autorëve përpara përgjegjësisë vetëm sa inkurajon veprime të tilla në të ardhmen.
Rasti vjen në një moment kur ende vijojnë reagimet për ngjarjen e ndodhur në Korçë, duke rikthyer në vëmendje nevojën për respektimin e jetës së kafshëve dhe ndëshkimin e çdo veprimi që çon në lëndimin apo vrasjen e tyre.