Botërori 2026: Gjendet një trup i pajetë me shenja dhune pranë kampit stërvitor të Iranit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.06.2026, 20:10

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tijuana-s në Meksikë, ku autoritetet kanë gjetur një trup të pajetë brenda një automjeti të braktisur pranë zonës ku po stërvitet kombëtarja e Iranit për Kupën e Botës 2026.

Sipas mediave ndërkombëtare, trupi u zbulua në bagazhin e një automjeti tip SUV të parkuar prej disa ditësh në një parking pranë Estadio Caliente, kampi stërvitor ku skuadra iraniane po zhvillon përgatitjet për ndeshjet e Botërorit. Viktima ishte e mbështjellë me një qese të zezë dhe paraqiste shenja të dukshme dhune.

Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se automjeti kishte qëndruar i parkuar në të njëjtin vend që prej mesjavës, ndërsa zbulimi u bë pasi u raportua një erë e fortë që vinte nga mjeti. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia izoloi zonën dhe nisi procedurat hetimore.

Megjithëse ngjarja ka ndodhur shumë pranë kampit stërvitor të Iranit, deri më tani nuk ka asnjë informacion që ta lidhë rastin me ekipin kombëtar apo me aktivitetet e Botërorit. Ndërkohë, skuadra iraniane ka vijuar normalisht programin e saj stërvitor nën masa të rrepta sigurie.

Policia meksikane ka nisur hetimet për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa ekspertët kriminalistikë vijojnë punën në vendin ku u gjet automjeti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit