Një qytetar nga Vlora ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës “Pasho Ramadani”, duke akuzuar firmën kontraktore se nuk ka përfunduar siç duhet punimet e asfaltimit.
Sipas denoncimit të banorit, e gjithë rruga vijon të mbetet e pashtruar me asfalt, ndërsa ai shprehet se punimet janë kryer në mënyrë të papërshtatshme.
“Jam banor i kësaj lagjeje dhe është turp për ata që marrin fondet publike. Një ditë i pashë duke hedhur asfaltin me karrocë dore. Shpresoj që ky proces të zgjidhet dhe lagjet të mos lihen si ‘dhëmbët e qenit’ sa herë që kalon një tender në Bashkinë e Vlorës”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë transparencë mbi zbatimin e projektit, cilësinë e punimeve dhe përgjegjësitë institucionale për këtë situatë. Ata i bëjnë thirrje drejtuesve vendorë që të verifikojnë nga afër gjendjen e rrugës dhe të marrin masa për përfundimin e investimit sipas standardeve të kërkuara.
Në fokus të kërkesave të banorëve është edhe përgjegjësia e institucioneve lokale për monitorimin e punimeve publike në lagjet e qytetit.