“Mban kallashnikov me vete”, dëshmia e çobanit që çoi policinë te stani i Braçellarit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.06.2026, 16:02

Aleksandër Kola, çobani i stanit ku dyshohet se është strehuar Violand Braçellari, i shpallur si autori i vrasjes së efektivit të “Shqiponja” Enea Mekolli dhe plagosjes së kolegut të tij Edison Adri, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve.

Sipas Kolës, Braçellari ishte në kontakt të vazhdueshëm me persona që e njoftonin për lëvizje të dyshimta në zonë. Ai thotë se gjatë kohës që punonte në stan, në Bode, që nga mesi i majit 2026, kishte pranuar detyrën si çoban kundrejt një pagese mujore prej rreth 1200 eurosh.

Kola deklaron se Braçellari nuk lëvizte i pa armatosur, duke mbajtur me vete një automatik kallashnikov dhe një armë gjahu çifte. Sipas tij, sa herë merrte telefonata paralajmëruese për kontrolle apo lëvizje në zonë, ai largohej drejt malit dhe qëndronte i fshehur për periudha të shkurtra.

Ai përmend gjithashtu se disa ditë para ngjarjes, Braçellari ishte larguar i armatosur pasi ishte njoftuar për afrimin e automjeteve të panjohura në drejtim të stanit.

Në dëshminë e tij, Kola ndalet edhe te një konflikt i ndodhur më 3 qershor 2026. Ai thotë se kishte kërkuar të largohej për disa ditë nga puna për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, por kërkesa i ishte refuzuar nga Braçellari. Debati, sipas tij, kishte degraduar në fyerje, kërcënime dhe dhunë fizike, ku Braçellari i kishte drejtuar disa herë armën, duke e kërcënuar me vdekje.

Më tej, Kola deklaron se është larguar nga stani në gjendje frike, duke marrë vetëm sendet personale, pasi kishte vërejtur situata të shumta të dyshimta që, sipas tij, rrezikonin jetën e tij.

Pas largimit, ai ka bërë kallëzim në polici, i cili më pas ka shërbyer si një nga elementët që çuan në organizimin e operacionit për kapjen e Braçellarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit