Një foto e mbërritur nga plazhi i Durrësit nxjerr zbuluar skandalin me ndarjen e hapësirave bregdetare dhe talljen që institucionet bëjnë me pushuesit e thjeshtë. Ajo që në letër quhet “Plazh Publik”, në realitet nuk është gjë tjetër veçse një rrip i ngushtë e mizerabël rëre, i "mbytur" nga të katër anët prej bizneseve private.
Kjo foto flet vetë. Në mes të bregdetit, një punonjës monton tabelën e plazhit publik, por mjafton të shohësh sfondin për të kuptuar se ku jetojmë. Hapësira pa pagesë është shumë e vogël, ndërsa në të dyja anët shtrihet "perandoria" e çadrave të kashtës dhe shezlongëve me pagesë, të rreshtuara si ushtri deri në buzë të ujit.
Është e qartë se si funksionon skema: bizneset private kanë gllabëruar pjesët më të mira dhe më të gjera të bregdetit, duke i lënë qytetarëve që nuk duan apo nuk kanë mundësi të paguajnë, thjesht një "rrugicë" rëre sa për të thënë që ekziston një plazh publik.
Për më tepër, ironia shtohet kur sheh se në këtë rrip të ngushtë ku njerëzit duhet të ngjeshen me njëri-tjetrin, tabela i urdhëron që t'i heqin çadrat e tyre çdo mbrëmje, ndërsa privatit nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë që ka pushtuar detin.
Ky është realiteti i hidhur i turizmit tonë: plazhi publik ekziston vetëm sa për të kaluar rradhën në tabelat e Bashkisë, ndërsa qytetarët e thjeshtë dëbohen nga pasuria e tyre kombëtare për t'u lënë vend fitimeve të bizneseve private.
![]()