Ka nisur në GJKKO seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili përballet me 13 akuza që lidhen me pesë vepra penale të rënda.
Edhe në seancën e sotme, Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Sipas akuzës, ndaj kryebashkiakut rëndojnë 13 akuza, mes tyre nëntë raste të korrupsionit, si edhe shpërdorim detyre, pastrim i produkteve të veprës penale, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit.
Prokuroria pretendon se disponon një dosje voluminoze me mbi 60 mijë faqe materiale, të cilat, sipas saj, mbështesin akuzat se Veliaj ka përdorur funksionin publik për përfitime personale dhe familjare.
Gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor, Veliaj dhe mbrojtja e tij kanë ndërmarrë një sërë hapash ligjorë, përfshirë ndryshimin e avokatëve, kundërshtimin e vendimeve të prokurorisë dhe paraqitjen e ankesave në gjykata të ndryshme, duke argumentuar se po mbrojnë të drejtat procedurale të të pandehurit.
Ndërkohë, përmes deklaratave publike dhe reagimeve në media, Veliaj ka vijuar të kundërshtojë akuzat dhe të kritikojë mënyrën e trajtimit të çështjes nga organet e drejtësisë.
Procesi ndaj tij mbetet një nga çështjet më të ndjekura të momentit, ndërsa pritet që gjatë seancave të ardhshme të shqyrtohen provat dhe pretendimet e palëve përkatëse.