Një tjetër tragjedi e rëndë ka goditur ujërat e Detit Mesdhe, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbysjes së një varke të mbushur me emigrantë.
Sipas të dhënave të para të konfirmuara nga autoritetet italiane, mjeti lundrues ishte nisur nga brigjet e Libisë dhe mbante në bord rreth 60 persona që kërkonin të arrinin Europën, përpara se të pësonte avari dhe të fundosej rreth 45 milje detare në lindje-juglindje të Maltës.
Menjëherë pas sinjalizimit të rrezikut, në zonë nisi një operacion masiv shpëtimi për gjetjen e të mbijetuarve. Roja Bregdetare Italiane bëri me dije se ekipet e emergjencës kanë arritur të nxjerrin nga deti 10 trupa të pajetë, ndërsa bilanci i viktimave u rëndua më tej gjatë operacionit.
Në ndihmë të emigrantëve erdhi edhe një anije peshkimi që ndodhej fatmirësisht pranë zonës së aksidentit, e cila arriti të shpëtonte 48 persona që po luftonin me dallgët, duke shmangur kështu një katastrofë edhe më të madhe njerëzore.
Aktualisht, autoritetet kompetente po vijojnë hetimet e hollësishme për të përcaktuar rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik. Ekspertët po punojnë gjithashtu për të saktësuar numrin e plotë të personave që ndodheshin në bordin e varkës së mbytur, me qëllim identifikimin e të gjitha viktimave dhe konfirmimin nëse ka ende persona të zhdukur në det.