Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Gramsh–Moglicë–Korçë, në segmentin nga drejt fshatit Gopesh, në bashkinë e Gramshit.
Sipas qytetarëve që ndodhen në zonë, rruga ka mbi dy orë që është e bllokuar, ndërsa deri më tani nuk ka mbërritur asnjë fadromë për të bërë të mundur hapjen e saj dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Banorët shprehen se kanë kontaktuar administratorin e zonës për të kërkuar ndërhyrje urgjente, por pavarësisht njoftimit, ende nuk është marrë asnjë masë konkrete në terren.
Situata vijon të mbetet problematike, ndërsa drejtuesit e automjeteve dhe banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse për zhbllokimin e rrugës dhe garantimin e lëvizjes së sigurt në këtë aks.