Koncesioni 367 MILIONË € Milot-Balldren i jepet Pëllumb Salillarit! 1.9€ tarifa për mjetet

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08.06.2026, 13:09

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fituesin e koncesionit 35-vjeçar për ndërtimin dhe operimin e autostradës Milot-Balldren, një nga segmentet kyçe të Korridorit Adriatiko-Jonian.

Kontrata i është dhënë kompanisë Salillari, në bashkëpunim me shoqëritë “ALB TIEFBAU”, “ERALD-G” dhe “InfraKonsult”.

Sipas dokumenteve zyrtare, fondi limit i koncesionit arrin në rreth 364.7 milionë euro pa TVSH, ndërsa autostrada e re do të ketë një gjatësi prej 17 kilometrash dhe parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2028.

Aksi do të nisë nga nyja e Milotit, duke u lidhur me segmentet Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, për të përfunduar në Balldren, ku lidhet me rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër.

Kalimi në autostradë do të jetë me tarifë, njësoj si segmenti Thumanë-Kashar që iu dha oligarkut Bashkim Ulaj. Investimi do të financohet plotësisht nga privati, ndërsa kompania koncesionare do të sigurojë të ardhurat përmes tarifave të përdorimit të rrugës.

Sipas të dhënave të planit të biznesit, investimi total përgjatë 35 viteve të koncesionit llogaritet në rreth 365 milionë euro, ndërsa të ardhurat e pritshme nga tarifat e kalimit mund të kalojnë vlerën e 1 miliard eurove.

Në garën për këtë koncesion morën pjesë kompanitë Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M. Kompania A.N.K kishte ofruar tarifën më të ulët prej 1.6 eurosh për automjetet e lehta, ndërsa Salillari dhe Gener 2 propozuan një tarifë prej 1.9 eurosh, ndërkohë që për Thumanë-Kashar pagesa për mjetet e vogla është 2.5€.

Kjo është tentativa e dytë për realizimin e projektit Milot-Balldren. Në vitin 2018, kompania A.N.K ishte shpallur fituese me modelin PPP, por projekti nuk u realizua pasi kompania nuk arriti të siguronte financimin e nevojshëm.

Si pasojë, qeveria anuloi kontratën dhe rihapi garën me modelin aktual, ku investimi rikuperohet përmes tarifave të paguara nga përdoruesit e rrugës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit