Shqipëria triumfon në Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit, kapiteni Olsian Velia çon skuadrën drejt fitores

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 07.06.2026, 18:22

Sot, më 7 qershor, në Kosovë u zhvillua Kampionati Ballkanik i Çiklizmit, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të rajonit, ku morën pjesë përfaqësues nga 10 shtete të Ballkanit.

Gara elitare, me një distancë prej 156 kilometrash, u karakterizua nga rivalitet i fortë dhe ritëm i lartë, veçanërisht nga skuadrat profesioniste të Turqisë dhe Rumanisë, të cilat tentuan disa herë të marrin kontrollin e garës, por pa sukses.

Megjithatë, ekipi kombëtar shqiptar zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer taktike, duke neutralizuar vazhdimisht sulmet e kundërshtarëve dhe duke mbajtur nën kontroll situatën gjatë gjithë garës. Një rol kyç në këtë sukses pati kapiteni i kombëtares, Olsian Velia, i cili vendosi që skuadra të punonte për Valentino Kamberajn, duke vlerësuar formën e tij të shkëlqyer dhe shanset më të mëdha për fitore.

Gjatë gjithë garës, çiklistët shqiptarë u angazhuan maksimalisht për ta mbrojtur dhe kursyer energjitë e Kamberajt, duke i krijuar kushtet ideale për fazën vendimtare të garës.

Strategjia rezultoi perfekte. Në 10 kilometrat e fundit, Kamberaj u shkëput nga pelotoni së bashku me katër sportistë të tjerë dhe zhvilloi një sprint të jashtëzakonshëm drejt finishit. Çiklisti shqiptar arriti të lërë pas rivalët e tij dhe të kalojë i pari vijën e mbërritjes, duke siguruar medaljen e artë dhe titullin kampion të Ballkanit.

Fitorja e Shqipërisë përfaqëson një sukses të madh për çiklizmin shqiptar dhe një shpërblim të merituar për punën e gjithë ekipit kombëtar, i cili tregoi disiplinë, forcë dhe inteligjencë taktike përballë konkurrentëve më të fortë të rajonit. Shqipëria e mbylli kështu Kampionatin Ballkanik me një triumf që do të mbetet gjatë në kujtesën e sportdashësve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit