Madridi u shndërrua këtë të diel në qendrën e botës katolike, teksa rreth 1.2 milionë besimtarë morën pjesë në meshën e Corpus Christi të drejtuar nga Papa Leoni XIV në Plaza de Cibeles. Në ditën e dytë të vizitës së tij shtatëditore në Spanjë, Ati i Shenjtë u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga turma të mëdha që mbushën sheshin dhe rrugët përreth.
Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë ishte procesioni mbi tapetet e krijuara me petale lulesh, një traditë shekullore spanjolle. Përgjatë një itinerari prej rreth 500 metrash u vendosën 16 tapete dekorative të realizuara me më shumë se 30 mijë lule në ngjyrat e flamurit të Vatikanit, ku spikasnin simbole fetare dhe çelësat e Selisë së Shenjtë.
Në predikimin e tij, Papa Leoni XIV theksoi se procesionet fetare janë një dëshmi e gjallë e besimit dhe jo thjesht tradita folklorike. Ai u bëri thirrje spanjollëve të ruajnë trashëgiminë e tyre fetare si një vlerë të gjallë për brezat e rinj. Vizita e tij, e para e një Pape në Spanjë pas 15 vitesh, synon të inkurajojë rikthimin e të rinjve drejt besimit në një kohë kur praktikimi i fesë në vend ka pësuar rënie të vazhdueshme.