Familjarët e 85-vjeçares rrëzojnë versionin e Policisë: Vajza nuk mund ta bënte, të hetojnë kush fshihet pas krimit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.06.2026, 18:15

Ngjarja e rëndë e zbuluar nga policia në Fushë-Mamurras, ku një 57-vjeçare dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e saj 85-vjeçare dhe më pas është tentuar të fshihet krimi duke u paraqitur si vdekje natyrale, ka sjellë reagimin e familjarëve të viktimës.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një mesazh nga familjar të së ndjerës, i cili kundërshton versionin paraprak të paraqitur nga autoritetet dhe kërkon një hetim të plotë të ngjarjes.

Sipas tyre, Violeta Shpani vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor, por familjarët nuk besojnë se ajo ka qenë në gjendje të organizojë dhe të kryejë e vetme një krim të tillë, aq më tepër të fshehë më pas gjurmët e ngjarjes.

Ata tregojnë se pranë banesës së 85-vjeçares jetonte edhe djali i saj së bashku me bashkëshorten. Sipas pretendimeve të familjarëve, marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë të mira, ndërsa ngrihen edhe akuza për episode të mëparshme dhune ndaj nënës dhe motrës, duke i shkaktuar edhe thyerjen e gjymtyrëve, ç'ka ngre akoma më shumë pikëpyetje për rastin. Për këtë arsye, ata kërkojnë që hetimet të mos kufizohen vetëm te një pistë, por të verifikohen të gjitha rrethanat dhe personat që mund të kenë pasur lidhje me ngjarjen.

Një tjetër pikë që ngre dyshime për familjarët lidhet me procedurat mortore. Sipas tyre, ceremonia është zhvilluar sipas traditave të krahinës së Mirditës, ku përgatitja e trupit për varrim kërkon kohë dhe angazhim të disa personave. Ata argumentojnë se një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor do ta kishte të pamundur të kryente i vetëm të gjitha veprimet që lidhen me sistemimin e trupit dhe organizimin e ceremonisë.

Familjarët thonë se janë njoftuar për vdekjen e 85-vjeçares rreth orës 14:00, ndërsa sipas informacioneve që kanë marrë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit. Kjo, sipas tyre, lë ende shumë pikëpyetje pa përgjigje mbi mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet gjatë atyre orëve.

Në përfundim, ata kërkojnë nga organet hetimore që të zbardhin plotësisht të vërtetën dhe të identifikojnë çdo person që mund të ketë pasur rol në këtë ngjarje tragjike. Familjarët insistojnë se përgjegjësit e vërtetë duhet të dalin përpara drejtësisë dhe që hetimi të mos mbyllet pa u sqaruar çdo dyshim që shoqëron këtë rast, duke u shprehur se vajza dhe nëna kishin një lidhje tejet të veçantë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit