Një nga mesazhet më të forta që po përcillet nga protesta qytetare kundër projektit në Zvërnec është refuzimi i klasës politike në tërësi. Protestuesit e mbledhur në Tiranë kanë deklaruar se lëvizja e tyre nuk përfaqëson asnjë parti dhe se kundërshtimi i tyre shkon përtej ndarjeve tradicionale mes mazhorancës dhe opozitës.
Madje, në shënjestër të kritikave të tyre nuk janë vetëm partitë e vjetra politike. Në protestë janë parë pankarta që shprehin mosbesim edhe ndaj figurave të reja politike si Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, të cilët kanë qenë të pranishëm në tubime gjatë ditëve të fundit.
Sipas protestuesve, asnjë forcë politike nuk duhet të përvetësojë kauzën e tyre. Ata insistojnë se protesta është një reagim qytetar i pavarur dhe se qëllimi i saj është mbrojtja e interesit publik, pa u identifikuar me asnjë parti apo lider politik.
Mes pankartave të ngritura në shesh, spikatnin mesazhe që shprehnin zhgënjimin e qytetarëve ndaj gjithë spektrit politik, duke treguar se një pjesë e protestuesve e shohin krizën aktuale si pasojë të dështimeve të akumuluara ndër vite, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet apo në opozitë.