Përpara Kryeministrisë po zhvillohet protesta e pestë qytetare kundër projektit në Zvërnec, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar jo vetëm anulimin e projektit, por edhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar ku shkruhej “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Nuk shitet Shqipëria”, protestuesit kanë përcjellë mesazhin se kundërshtimi i tyre lidhet me mbrojtjen e interesit publik dhe pasurive kombëtare.
Organizatorët kanë theksuar se protesta nuk përfaqëson asnjë forcë politike, duke e cilësuar atë si një lëvizje qytetare të pavarur. Sipas tyre, pas pesë ditësh mobilizim të pandërprerë, protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave që i konsiderojnë të panegociueshme.
Njëri prej protestuesve deklaroi se lëvizja drejtohet nga qytetarë të lirë dhe patriotë, të cilët shohin zhvillimet e viteve të fundit si një kërcënim për interesin dhe sigurinë kombëtare. Deklarata e tij u prit me duartrokitje dhe ovacione nga turma e mbledhur para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestë u paraqitën edhe pesë kërkesat kryesore të lëvizjes, të cilat sipas organizatorëve janë të panegociueshme: dorëheqja e qeverisë; shfuqizimi i statusit dhe i kuadrit ligjor për investitorët strategjikë; shfuqizimi i Paketës së Maleve; anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura; si dhe anulimi i ndryshimeve ligjore që prekin trashëgiminë kombëtare.