Igli Tare për Ballukun: E kam shoqe fëmijërie, apartamentin ia lashë në përdorim për pushime

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.06.2026, 19:57

Ish-futbollisti i Kombëtares dhe ish-drejtuesi i njohur sportiv, Igli Tare, ka përfunduar sot në dyert e Prokurorisë e Posaçme (SPAK). Ai është thirrur nga hetuesit për të dhënë shpjegime rreth verifikimeve të pasurisë që po kryhen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila përveç marrjes si e pandehur për tenderat, po hetohet tashmë edhe për pastrim parash.

Në fokus të prokurorëve ka qenë pikërisht një apartament luksoz në bregdet dhe marrëdhënia e ngushtë që ekziston mes Tares dhe ish-zyrtares.

Përpara prokurorëve të posaçëm, Tare mësohet se ka zbardhur të gjithë historikun e pronës në jug të vendit. Ai ka deklaruar se apartamenti tip dupleks është blerë rregullisht prej tij që në vitin 2018, duke vënë në dispozicion kontratat noteriale dhe duke vërtetuar se çdo pagesë është kryer përmes sistemit bankar.

Sa i përket lidhjes me ish-zëvendëskryeministren, ai ka treguar se bëhet fjalë për një miqësi shumë të vjetër që nuk ka lidhje me postet e saj politike.

"Me Belinda Ballukun kam marrëdhënie miqësore që prej fëmijërisë, një fakt që njihet gjerësisht në Tiranë. Familjet tona kanë lidhje të vjetra dhe frekuentohen prej vitesh," ka dëshmuar Tare.

Në këtë kuadër, ai ka shpjeguar se si mik i afërt, thjesht i ka ofruar asaj dhe fëmijëve të saj mundësinë për ta shfrytëzuar banesën e Dhërmiut gjatë pushimeve.

Ish-drejtuesi sportiv i Lazios ka hedhur poshtë me forcë çdo aludim për favorizime në tendera apo implikim në aferat e dyshuara. Ai specifikoi se çështja e Albcontrol-it që po qarkullon daton që nga viti 2014 dhe është plotësisht e parashkruar.

“Me sa jam informuar bëhet fjalë për një procedurë të para 12 vitesh, e cila është e parashkruar dhe pa asnjë lidhje me atë që po hamendësohet,” mësohet të ketë thënë ai.

Në mbyllje, Tare ka kërkuar që të mos cenohet imazhi i figurave publike mbi baza dyshimesh të paprovuara, duke deklaruar se çdo veprim i jetës së tij ka qenë plotësisht transparent dhe brenda kornizave ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit