“Nuk kam pasur mardhënie të mira me të”, çfarë deklaroi kryeplaku i fshatit për vrasësin e policit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.06.2026, 15:15

Detaje të reja nga dosja hetimore e Violand Braçellarit, autorit të masakrës së ndodhur në fshatin Lozhan të Maliqit, hedhin dritë mbi të kaluarën e 43-vjeçarit dhe raportet e tij me banorët e zonës.

Në dëshminë e dhënë në Prokurori gjatë hetimeve të vitit 2015, kryeplaku i fshatit, Sabri Braçellari, ka deklaruar se marrëdhëniet e tij me Violandin dhe familjen e këtij të fundit nuk kanë qenë të mira. Sipas tij, prindërit e Braçellarit ishin kthyer në Lozhan rreth një vit e gjysmë më parë dhe banonin në një shtëpi të braktisur të një familjeje që ishte larguar drejt qytetit.

“Unë nuk kam patur marrëdhënie të mira me ta. Shtëpitë në atë lagje janë të braktisura dhe kush t’i dojë i shfrytëzon”, ka deklaruar kryeplaku para hetuesve.

Ai ka treguar gjithashtu se gjatë shtatorit të vitit 2015 e kishte parë shumë rrallë Violand Braçellarin në fshat dhe nuk mban mend nëse ai ndodhej aty në periudhën kur u zhvilluan kontrollet policore.

Sipas dëshmisë, ditën kur policia mbërriti në Lozhan, inspektori i zonës i kërkoi kryeplakut t’u tregonte banesat që do të kontrolloheshin. Operacioni zgjati deri në orët e para të mëngjesit dhe përfshiu disa shtëpi të zonës.

“Policia kontrolloi në disa banesa. Shefi i antidrogës solli ca mbetje të lëndës narkotike; ishte vetë kur i kontrolloi. Është mbajtur edhe procesverbal, ku unë kam firmosur”, është shprehur Sabri Braçellari.

Kryeplaku ka sqaruar se nuk ka dijeni për gjetjen e ndonjë sendi të dyshimtë në banesën ku jetonin prindërit e të pandehurit dhe se një pjesë e kontrolleve janë kryer vetëm në prani të efektivëve të policisë.

“Shefi erdhi aty dhe tha: ‘Unë gjeta këtë në shtëpinë e Shefqet Braçellarit’ (pak mbetje hashashi). Kontrolli u bë 3 ditë rresht. I pandehuri atë ditë nuk ishte në fshat”, ka deklaruar ai.

Dëshmia e kryeplakut është pjesë e materialeve hetimore që po shqyrtohen nga organet e drejtësisë dhe që hedhin dritë mbi rrethanat dhe sfondin e autorit të ngjarjes së rëndë në Lozhan.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit