Grabiti lokalin dhe përplasi mjetin e policisë gjatë ndjekjes, arrestohet shqiptari

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.06.2026, 18:09

Një 28-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane në Bolonjë, pas një grabitjeje në një lokal që u pasua nga një arratisje spektakolare dhe një ndjekje e rrezikshme me forcat e rendit.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur i riu, me fytyrën e mbuluar, hyri në një lokal në rrugën Bentini. Pasi mori paratë nga arka, ai përdori një mjet prerës për të hapur makinat e bixhozit dhe për të marrë paratë që ndodheshin në to.

Veprimet e tij u filmuan nga kamerat e sigurisë dhe u monitoruan në kohë reale nga kompania e ruajtjes së objektit, e cila njoftoi menjëherë policinë. Hetuesit dyshojnë se shqiptari nuk ka vepruar i vetëm, pasi një person tjetër që mendohet të ketë qenë bashkëpunëtor i tij arriti të largohej para mbërritjes së patrullave dhe vijon të kërkohet.

Pas grabitjes, 28-vjeçari u largua me një furgon të vjedhur, por policia arriti ta gjurmonte falë sinjalit GPS të sendeve të marra gjatë vjedhjes. Kur efektivët tentuan ta ndalonin në rrugën Stendhal, ai refuzoi t'u bindet urdhrave, shtoi shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke hyrë madje edhe në sens të kundërt të lëvizjes.

Gjatë përpjekjes për t’u arratisur, ai përplasi një automjet policie, i cili doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë. Si pasojë, dy policë mbetën të plagosur lehtë.

Arratisja mori fund pak minuta më vonë, kur furgoni që drejtohej nga shqiptari doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një kompanie private. Edhe pas aksidentit, ai tentoi të largohej në këmbë, por u kap nga policia pas një operacioni të shkurtër kërkimi në zonë.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët sekuestruan mjetin e përdorur për hapjen e makinave të bixhozit, pajisje të tjera për thyerje, arkën e lokalit me 75 euro brenda si dhe një aparat për ndërrimin e monedhave.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se 28-vjeçari ka precedentë penalë për krime kundër pasurisë. Ai tashmë përballet me akuzat për vjedhje të rënduar, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe dëmtim prone, ndërsa mbahet në burg në pritje të vendimit të gjykatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit