Ndërsa propaganda qeveritare zhurmon përditë me suksese imagjinare në shëndetësi dhe vëmendja e pushtetit duket se është orientuar drejt axhendave të luksit apo terapive hormonale, realiteti në spitalet tona mbetet i zymtë dhe alarmant. Një denoncim i mbërritur në redaksinë tonë dëshmon se jetët e dhjetëra pacientëve në Shqipëri po lihen në mëshirë të fatit për shkak të mungesave të bazës më elementare medikamentoze.
Sipas denoncimit, prej datës 15 Maj, në Departamentin e Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT), pacientët që vuajnë nga Leuçemia Kronike janë lënë tërësisht pa mjekim. Bëhet fjalë për mungesën e ilaçit jetik Nilotinib, një medikament i pazëvendësueshëm për të mbajtur nën kontroll këtë sëmundje të rëndë tumorale.
Kanë kaluar pothuajse tre javë që kur këta pacientë nuk kanë marrë dozat e tyre të rregullta. Ajo që e bën situatën akoma më dramatike është heshtja dhe papërgjegjshmëria e autoriteteve spitalore dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Askush nuk u jep një përgjigje se kur do të vihet sigurimi i këtij ilaçi dhe sa do të zgjasë kjo mungesë që për këta të sëmurë përkthehet në dënim.
Për një pacient medikamenti është jetik, dhe çdo ditë pa të është një hap drejt përkeqësimit të parikthyeshëm. Ndërkohë që ditët ikin, familjarët dhe vetë të sëmurët shohin me sy sesi gjendja e tyre shëndetësore agravohet. Deri kur shëndeti dhe jeta e qytetarëve shqiptarë do të trajtohen si statistika pa vlerë?
"Përshëndetje JOQ! Teksa qeveria e ka mendjen te terapia e trajtimeve hormonale, prej datës 15 Maj në QSUT, në Departamentin e Hematologjisë, të sëmurët me Leuçemi Kronike janë pa ilaçe, konkretisht pa ilaçin Nilotinib. Ka gati 3 javë që nuk marrin mjekim dhe nuk dihet se sa do të zgjasë kjo mungesë. Askush nuk jep zgjidhje, ndërkohë që ditët ikin dhe problemet e shëndetit te të sëmurët agravohen. Faleminderit nëse e postoni!"