Ditën e sotme në plazhin e Ksamilit është vënë re një ndotje e madhe e vijës bregdetare pasi sasi të konsiderueshme leshterikësh (algash detare) dhe mbetjesh të ndryshme janë sjellë nga deti dhe janë grumbulluar në rërë.
Pushuesit e kësaj zone kanë vënë re se disa pjesë të plazhit janë mbuluar nga mbetje organike dhe plastike, duke krijuar pamje jo të këndshme dhe shqetësim për pastërtinë e ujit në kulmin e sezonit.
Sipas dëshmive nga terreni, fenomeni lidhet me rrymat detare dhe erërat e forta të ditëve të fundit, ndërsa prania e mbetjeve plastike ngre sërish shqetësime për menaxhimin e mbetjeve në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të vendit.
Pushuesit i bëjnë thirrje autoriteteve lokale të ndërhyjnë për pastrimin e zonës pasi ky është një nga plazhet më të njohura dhe më reklamuara botërisht, i vizituar çdo ditë nga mijëra turistë vendas dhe të huaj, çka e bën gjendjen e pastërtisë dhe menaxhimit të mbetjeve edhe më të rëndësishme për imazhin turistik të Ksamilit.