“Katastrofë mjedisore në Vunonë e Edi Ramës, Vangjel Tavo po shkatërron turizmin dhe vegjetacionin”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.05.2026, 22:56

Një denoncim i fortë për atë që e cilëson si një katastrofë mjedisore në jug të vendit ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga shkrimtari dhe gazetari i njohur Arjan Konomi.

Përmes videove dhe mesazheve të dërguara në redaksinë tonë, Konomi ngre alarmin për depozitimin masiv të inerteve në zonën mes Dhërmiut dhe Vunoit, duke akuzuar Bashkinë Himarë dhe kryetarin e saj, Vangjel Tavo, si përgjegjës për situatën.

Në videon e dërguar, Konomi tregon një grumbullim gjigant dherash dhe mbetjesh ndërtimi, të cilin e quan me ironi "Mali Vangjel Tavo".

"Ja ku është krijuar 'Mali Vangjel Tavo'. Shikojeni si është shkatërruar i gjithë vegjetacioni. Këtu kishte gjelbërim, ndërsa tani është bllokuar edhe përroi. Ku do të shkojnë ujërat që zbresin nga mali, këtë duket se e di vetëm Vangjeli me këshilltarët e tij", shprehet ai.

Sipas denoncimit, dhjetëra kamionë transportojnë çdo ditë inerte nga kantieret e ndërtimit në Dhërmi drejt kësaj zone, duke nisur lëvizjet që në orën 04:30 të mëngjesit dhe duke vazhduar deri në mbrëmje.

Konomi thotë se kalimi i vazhdueshëm i mjeteve të tonazhit të rëndë nëpër rrugët e ngushta të fshatrave historikë ka krijuar ndotje të madhe nga pluhuri, zhurma dhe trafik i rënduar, duke goditur drejtpërdrejt turizmin.

Sipas tij, shumë turistë që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në qetësinë e Dhërmiut dhe Vunoit po largohen pas natës së parë, duke kërkuar kthimin e parave dhe duke lënë komente negative për eksperiencën e tyre.

Një tjetër shqetësim që ngre gazetari lidhet me vendin ku po depozitohen inertet. Ai pretendon se mbetjet po hidhen në zonën e përroit që ka formuar plazhin e Jalit, duke krijuar një lloj dige artificiale që mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për ekosistemin dhe rrjedhën natyrore të ujërave.

Sipas Konomit, situata bëhet edhe më paradoksale nga fakti se ekziston një landfill i miratuar në zonën e Llogarasë, ndërsa kamionët detyrohen të përshkojnë kilometra të tëra nëpër rrugët e ngushta të fshatrave, duke rënduar më tej trafikun dhe ndotjen.

Denoncimi i tij ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e menaxhimit të inerteve në një nga zonat më të rëndësishme turistike të Shqipërisë, ndërsa banorët dhe operatorët turistikë shprehen të shqetësuar për pasojat që kjo situatë mund të ketë në sezonin veror dhe në mjedisin natyror të zonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit