Një përgjim ambiental i kryer më 24 korrik 2024 nga autoritetet italiane në Bari ka zbuluar mënyrën se si anëtarët e një grupi të dyshuar të trafikut të drogës komunikonin përmes kodeve për të fshehur aktivitetin e tyre.
Sipas dosjes hetimore, lënda narkotike përmendej në biseda me termin “mish”, ndërsa cilësia e saj identifikohej me shprehjen “si ai i Kukësit”. Në një nga komunikimet e përgjuara, Shkëlzen Daci kontakton Ergys Kastratin, i njohur me nofkën “Daja”, duke e pyetur nëse kishte në dispozicion 4 deri në 5 kilogramë “mish”.
Hetuesit italianë arritën të identifikonin Dacin përmes analizës së zërit, ndërsa nga përgjimet rezulton se Ergys Kastrati thirrej shpesh me nofkën “Daja”, një term që sipas hetimeve përdoret në ambientet kriminale për persona me rol të rëndësishëm brenda grupeve të strukturuara.
Gjatë bisedës, Daci interesohet për sasinë e lëndës narkotike dhe diskuton mundësinë e transportit të saj. Pasi mësoi se transporti nuk mund të realizohej nga personat që kishte menduar fillimisht, ai vendosi të shkonte vetë në banesën e Kastratit, pavarësisht se ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” në një procedim tjetër penal.
Sipas hetuesve, lëvizjet e Ergys Kastratit u konfirmuan edhe nga të dhënat e sistemit GPS të automjetit të tij, i cili rezulton të ketë ndaluar pranë banesës së Shkëlzen Dacit në Barletta. Këto prova janë përfshirë në dosjen hetimore si elementë që mbështesin dyshimet për aktivitet të organizuar të trafikut të lëndëve narkotike.