Muralja artistike rikthen në kujtesë dhe përjetëson figurat historike të Dibrës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 30.05.2026, 15:19

Një murale me përmasa të mëdha, kushtuar disa prej figurave më të njohura patriotike të Dibrës, është realizuar pranë urës së qytetit të Bulqizës, duke sjellë në vëmendje kontributin dhe sakrificat e tyre në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Në këtë vepër artistike janë portretizuar Elez Isufi Ndreu Sllovë, Mustafa Shehu Zerqani, Elez Murrja Luzni, Iljaz Qoku Maqellar, Selim Sul Kaloshi Sinë dhe Cen Leka Zogje, personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë e krahinës së Dibrës. Figura të njohura për qëndresën dhe përfshirjen e tyre në përpjekjet kundër pushtuesve të kohës, përfshirë Hajredin Pashën ata përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike të zonës.

Muralja është realizuar nga artisti Bledar Çakalli, i cili ka ndërmarrë nismën për ta kthyer një hapësirë publike të qytetit në një galeri të hapur historie. Përmes ngjyrave kuqezi dhe portreteve të punuara me kujdes, vepra synon të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë patriotike të Dibrës, duke i sjellë këto figura më pranë brezave të rinj.

E vendosur në një nga pikat më të frekuentuara të Bulqizës, muralja jo vetëm që i jep ngjyra dhe identitet urban zonës, por shërben edhe si një homazh për ata burra që, sipas kujtesës historike të krahinës, kontribuuan në mbrojtjen e vendit dhe të vlerave kombëtare. Kjo vepër artistike pritet të jetë një pikë referimi për banorët dhe vizitorët, duke ndërthurur artin me historinë lokale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit