Pak ditë pasi JOQ Albania publikoi denoncimin e qytetarëve për ndërhyrjet me mjete të rënda në malin e Dhërmiut, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërmarrë masa ndaj kompanisë “Gjikuria” në pronësi të oligarkëve Milo dhe Florenc Gjikuria.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregonin sipërfaqe të mëdha të terrenit të zhveshura në faqen e malit, ndërsa banorët e zonës denonconin se dherat dhe materialet inerte po hidheshin në përrua, duke ngritur shqetësime serioze për dëmtimin e mjedisit dhe ekosistemit të zonës.
Pas verifikimeve në terren, u konstatua një venddepozitim mbetjesh inerte dhe dherash të dala nga gërmimet në krye të fshatit Dhërmi. Sipas njoftimit zyrtar, subjekti “Gjikuria” rezultoi se nuk ishte i pajisur me Leje Mjedisi të tipit B, dokument i detyrueshëm për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Për shkeljet e konstatuara, IKMT vendosi një masë administrative me gjobë në vlerën 1 milion lekë, si dhe urdhëroi pezullimin e aktivitetit të kompanisë deri në pajisjen me lejen përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Gjithashtu, kompanisë iu ngarkua detyrimi për të eliminuar pasojat e shkaktuara dhe për të rehabilituar zonën ku janë kryer depozitimet e inerteve brenda një afati kohor.
Rasti vjen pas shqetësimeve të ngritura nga banorët dhe qytetarët, të cilët kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar ligjshmërinë e punimeve dhe ndikimin e tyre në mjedis. Verifikimet e kryera nga IKMT konfirmuan shkelje që sollën ndëshkimin e subjektit dhe pezullimin e aktivitetit të tij.
Dhërmiu, një nga destinacionet më të njohura turistike të rivierës shqiptare, vazhdon të mbetet në qendër të debatit për balancën mes zhvillimit urban dhe mbrojtjes së natyrës, ndërsa banorët kërkojnë më shumë kontroll ndaj ndërhyrjeve që prekin mjedisin e zonës.