Ditën e djeshme, disa banorë të Qerretit denoncuan pranë redaksisë sonë një ndërhyrje të rëndë dhe të papritur në zonën e njohur si “Laguna Blu”.
Sipas dëshmive të banorëve, situata ka nisur në mëngjesin e 26 majit 2026, kur mjete të rënda dhe fadroma kanë hyrë në këtë hapësirë natyrore. Pa asnjë paralajmërim paraprak, makineritë kanë nisur prerjen e pishave, prishjen e mureve mbrojtëse dhe hapjen e një rruge të re drejt vijës bregdetare, duke krijuar një akses të pakontrolluar që, sipas tyre, rrezikon ekuilibrin ekologjik të zonës.
Ndërkohë, një grup tjetër banorësh, të cilët deklarojnë se nuk janë pjesë e resortit në fjalë, kanë denoncuar bllokimin e rrugës “Taulantia”. Ata akuzojnë disa banorë të resorteve private se prej vitesh po pengojnë hyrjen e qytetarëve dhe pushuesve drejt bregdetit.
Sipas denoncimit të mbërritur nga një qytetar, rruga është bllokuar me gardhe dhe tela, duke kufizuar aksesin e banorëve të zonës, pushuesve ditorë dhe turistëve në det. Ai pretendon se situata është zhbllokuar vetëm pas ndërhyrjes së pushtetit lokal, ndërsa akuzon pronarët e disa vilave në resortet “Ada” dhe “Laguna Blue” për vendosje të paligjshme të gardheve deri në brezin ranor.
“Shikojeni si e kanë vendosur gardhin me tela në brezin e rërës në mënyrë të paligjshme, duke mos lejuar qytetarët të dalin e të shijojnë bregdetin”, thuhet në mesazhin e qytetarit.
Sipas tij, banorët e Qerretit kanë bërë vazhdimisht ankesa në platformën “Hapësira Ime”, por deri më tani nuk ka pasur reagim nga institucionet përgjegjëse.
Banorët pretendojnë gjithashtu se sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit janë zaptuar me mure dhe gardhe, duke kufizuar lëvizjen e komunitetit drejt vijës bregdetare dhe duke krijuar tensione të vazhdueshme mes rezidentëve dhe administruesve të resorteve private.
Mesazhi i qytetarit:
Shikojeni se si ishte e bllokuar rruga Taulantia në Qerret Kavajë nga disa banorë të resortit duke mos lejuar banorët e Qerretit , pushuesit ditor dhe turistët për të mos dslë në det.
Rruga është hapur me ndërhyrjen e pushtetit lokal , pasi ishte bllokuar prej vitesh nga disa banorë të resortit me qëllim që banorët e Qerretit mos të dilnin në bregdet. Shikojeni si e kanë vendos gardhin me tela në brezin e rërës në mënyrë të paligjshme duke mos lejuar qytetarët për të dalë e shijuar bregdetin.
E kemi denoncuar disa herë në portalin hapsira ime por nuk ka asnjë reagim nga institucionet. Kanë zaptuar pyllin me mure e gardhe duke mos lejuar komunitetin të dalë në bregdet, sepse kanë suport politik.
Banorët e Qerretit jemi ne që kemi vite që ankohemi për hapjen e asaj rruge. Ndërsa ata që e bllkokuan janë pronarët e vilave në resortet Ada dhe Laguna Blue

