Rama quan histori suksesi AKSHI-n e Mirlinda qiraxhijes edhe pas hetimit nga SPAK

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.05.2026, 14:51

Kryeministri Edi Rama doli sot plot krenari për të prezantuar “Albanian Digital Solution”, kompaninë më të re shtetërore që sipas tij do ta çojë Shqipërinë edhe më thellë në revolucionin dixhital. Në fjalimin e gjatë për teknologjinë, inovacionin dhe modernizimin, Rama foli për AKSHI-n sikur po tregonte historinë e “Apple”-it shqiptar: nga disa shërbime online vite më parë, sot e-Albania paska pushtuar jetën e mbi 3 milionë qytetarëve.

Gjithçka tingëllonte perfekte. Shtet modern, sisteme inteligjente, standarde europiane, kontroll cilësie, siguri teknologjike… pak a shumë sikur Shqipëria të ishte Silicon Valley e Ballkanit. Madje, sipas Ramës, kompania e re do të sigurojë që shteti të mos mbetet peng i privatëve për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike. Pra, shteti do të kontrollojë shtetin. Tingëllon bukur. Të paktën në powerpoint.

Problemi i vetëm është se ndërkohë që Rama recitonte suksesin epik të AKSHI-t, SPAK vazhdon të ketë një mendim disi ndryshe për këtë “histori triumfi”.

Sepse po flasim për të njëjtin AKSHI, ku ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj është marrë e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, “grup të strukturuar kriminal” dhe vepra të tjera që nuk tingëllojnë edhe aq dixhitale sa prezantimi i sotëm i kryeministrit. Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe ish-zyrtarë dhe biznesmenë të lidhur me tenderat e teknologjisë.

Pra, ndërsa qeveria shet revolucionin dixhital si sukses historik, SPAK po heton nëse ky revolucion ka funksionuar me metodën klasike shqiptare: tendera, klientë dhe kompani “strategjike”.

Ironia bëhet edhe më e fortë kur dëgjon Ramën të flasë për “transparencë” dhe “përgjegjshmëri institucionale”, ndërkohë që institucioni simbol i këtij modernizimi endet prej muajsh në dosjet e korrupsionit. Një lloj mrekullie shqiptare ku serverat janë futur në epokën e inteligjencës artificiale, por tenderat ende duket se funksionojnë me logjikën e vjetër të miqve dhe favoreve.

Në fund, mbetet një pyetje e thjeshtë: a po ndërtohet vërtet një shtet modern dixhital, apo thjesht po instalohet versioni online i të njëjtit sistem të vjetër?

Sepse në Shqipëri mund të ndryshojnë platformat, logot dhe aplikacionet… por dosjet e SPAK-ut vazhdojnë të ngarkohen po aq shpejt sa shërbimet në e-Albania.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit