Sektori i ndërtimit në Shqipëri vijon të zgjerohet me ritme të larta gjatë vitit 2026, teksa të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë një rritje të ndjeshme të lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqeve të miratuara për projekte të reja. Në tremujorin e parë të vitit janë dhënë 322 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, rreth 25% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipërfaqja totale e ndërtimit ka arritur në mbi 377 mijë metra katrorë, ndërsa vlera e projekteve të miratuara llogaritet në rreth 20.4 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e lejeve lidhet me ndërtime banimi, të cilat dominojnë tregun me 237 projekte të miratuara, por një peshë të konsiderueshme vijojnë të kenë edhe hotelet, objektet tregtare dhe ndërtimet industriale. Megjithatë, ekspertët theksojnë se shifrat reale të ndërtimit në vend mund të jenë shumë më të larta, pasi raportimet e INSTAT bazohen aktualisht vetëm në të dhënat e bashkive dhe nuk përfshijnë ende në mënyrë të plotë projektet e miratuara nga institucione të tjera si Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.
Një tregues tjetër që tregon vrullin e betonizimit është rritja e fortë e të ardhurave nga pushteti vendor, kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Për katër muajt e parë të vitit, bashkitë kanë arkëtuar rreth 26.3 miliardë lekë, me një rritje prej 118% krahasuar me një vit më parë. Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të tregut, kjo shumë nënkupton se në vend mund të jenë dhënë leje ndërtimi me një vlerë totale që arrin deri në 3.7 miliardë euro, duke konfirmuar se ndërtimi mbetet një nga sektorët më dominantë të ekonomisë shqiptare.