Tragjedi tek Trauma: Ndërron jetë 17-vjeçari që u plagos aksidentalisht nga shoku

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.05.2026, 20:21

Ka përfunduar në tragjedi ngjarja e rëndë e regjistruar pak ditë më parë në periferi të kryeqytetit. 17-vjeçari i cili u plagos me armë zjarri në kokë mbrëmjen e 24 majit, ka ndërruar jetë ditën e sotme në Spitalin e Traumës në Tiranë. I riu ndodhej në gjendje kritike për jetën dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve gjatë këtyre ditëve, nuk ka arritur t'u mbijetojë plagëve të rënda.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Kthesës së Kamzës, në ambientet e një banese ku ishte mbledhur një grup djemsh. Nga hetimet paraprake, dyshohet se 19-vjeçari Rigels Sylaj po u tregonte shokëve të tij një armë zjarri që e posedonte pa leje. Gjatë manipulimit, arma është shkrepur në mënyrë aksidentale, duke kapur në kokë 17-vjeçarin.

Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje ka qenë tentativa fillestare e të rinjve të përfshirë për të mashtruar autoritetet dhe për të fshehur të vërtetën. Menjëherë pas plagosjes, shokët e viktimës deklaruan përpara efektivëve të policisë se kishin dëgjuar të shtëna që vinin nga jashtë dhe se e kishin gjetur 17-vjeçarin të gjakosur në oborrin e shtëpisë.

Megjithatë, kjo alibi nuk ka zgjatur shumë. Nën presionin e provave të gjetura në vendngjarje dhe marrjes në pyetje, të rinjtë kanë pranuar se incidenti i rëndë kishte ndodhur brenda në dhomë dhe se personi që mbante armën ishte 19-vjeçari Sylaj.

Ndërkohë, trupi i pajetë i të riut është dërguar në morg, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale për autorin dhe personat e tjerë që tentuan të fshehin krimin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit