Një vendim i paprecedentë dhe që pritet të ngjallë mjaft diskutime është ndërmarrë së fundmi në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ofrojë për herë të parë shërbimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë, një proces ky që deri më tani kryhej jashtë vendit ose në rrugë të pakontrolluara.
Përmes një urdhri zyrtar të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, të firmosur nga zëvendësministrja Eugena Tomnini, është zyrtarizuar protokolli klinik që përcakton të gjitha kriteret mjekësore, procedurat dhe monitorimin e këtij tranzicioni, i cili do të mbulohet tërësisht nga fondet publike të sigurimeve shëndetësore.
Deri më sot, për shkak të mungesës së një kuadri ligjor dhe mjekësor në spitalet tona publike, shumë individë detyroheshin t'i drejtoheshin klinikave private jashtë kufijve, kryesisht në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, ku kostot e operacioneve dhe trajtimeve arrijnë shifra të larta.

Shumë të tjerë i siguronin medikamentet nën dorë në farmacitë vendase, duke rrezikuar seriozisht shëndetin për shkak të mungesës së monitorimit nga mjekët specialistë. Ky vendim i ri synon pikërisht futjen e këtij procesi nën kontrollin e rreptë mjekësor.
Sipas rregullores së re, trajtimi do të administrohet në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT dhe do të përfshijë terapinë me testosteron për burrat transgjinorë, si dhe trajtimin me estrogjen e anti-androgjenë për gratë transgjinore.
Një nga pikat që pritet të tërheqë më shumë vëmendje është ajo e moshës se kur mund të nisë ky trajtim. Protokolli parashikon që si rregull terapia mund të fillojë nga mosha 16 vjeç me miratimin e familjes, por në raste të veçanta dhe pas një vlerësimi mjaft kompleks mbi pjekurinë njohëse të adoleshentit, ai mund të konsiderohet edhe që nga mosha 14 vjeç.
Përpara se të nisë marrja e hormoneve, pacientët do t'i nënshtrohen një vlerësimi të gjatë mjekësor dhe psikosocial, analizave laboratorike dhe do të duhet të nënshkruajnë një fletë pëlqimi ku pranojnë se janë njohur me efektet anësore afatgjata, përfshirë ndikimin e pakthyeshëm në fertilitet.
Pasi të nisë terapia, mjekët do të bëjnë monitorime të rrepta periodike, sidomos gjatë vitit të parë, për të shmangur rreziqet si problemet kardiovaskulare, hipertensioni apo komplikacionet e tjera metabolike. Ky hap shënon përmbushjen e një kërkese të hershme të organizatave të komunitetit LGBTQI+ në Shqipëri për të garantuar aksesin e tyre në shëndetësinë publike.