Kush po e shkatërron plazhin në Qerret?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.05.2026, 18:28

Një vatër e re alarmi mjedisor ka shpërthyer në bregdetin e Qerretit, ku banorët e zonës kanë denoncuar publikisht një ndërhyrje të rëndë dhe të papritur në hapësirën e njohur si “Laguna Blu”.

Përmes reagimeve të shumta në rrjetet sociale, komuniteti lokal ka ngritur dyshime të forta se pas këtë veprimi fshihen interesa të fshehura ndërtimore që po kërcënojnë mjedisin dhe karakterin turistik të zonës.

Sipas dëshmive të banorëve, situata ka nisur që në mëngjesin e 26 majit 2026, kur mjete të rënda dhe fadroma kanë hyrë në këtë zonë mbrojtëse natyrore. Pa asnjë paralajmërim, makineritë kanë nisur prerjen e pishave, shkatërrimin e mureve mbrojtëse dhe hapjen e një rruge të re drejt vijës bregdetare, duke krijuar një akses të pakontrolluar që rrezikon ekuilibrin ekologjik.

Ajo që ka revoltuar më shumë qytetarët është mungesa totale e transparencës dhe fakti që asnjë dokument zyrtar nuk është bërë publik.

Banorët theksojnë se nuk ka asnjë projekt të afishuar, asnjë studim për ndikimin në mjedis dhe asnjë leje të bërë transparente për komunitetin. Ata ngrenë dyshime të forta se punimet po maskohen si ndërhyrje publike, ndërkohë që mund të bëhet fjalë për projekte private betonizimi.

Mbi të gjitha, banorët denoncojnë se i gjithë ky shkatërrim po ndodh nën sytë e Policisë Bashkiake, IKMT-së dhe Policisë së Kavajës, të cilat kanë qëndruar në heshtje pa bërë asnjë reagim publik.

Përballë kësaj situate ku institucionet lokale po heshtin, komuniteti i Qerretit i ka bërë një thirrje urgjente Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të ndërhyjë menjëherë për të hetuar abuzimin me territorin dhe për të vënë para përgjegjësisë penale personat që po shkatërrojnë bregdetin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit