Reperi Kleviol Ahmeti është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku mori pjesë në seancën gjyqësore të lidhur me çështjen ndaj Laert Haxhiut.
Seanca u shty për një datë tjetër për shkak të mungesës së reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, si edhe të familjarëve të tij.
Pas daljes nga GJKKO, Cllevio foli shkurtimisht për mediat, duke i bërë thirrje Noizyt që të jetë i pranishëm në seancat gjyqësore. Ai u shpreh se mungesa e palës tjetër vetëm sa po zvarrit procesin, ndërsa theksoi se vetë është paraqitur rregullisht sa herë është thirrur nga gjykata.
“Se mungon ai të vij unë për pak këtu? Të vijë të përballet këtu, të japë intervistat që jap unë, a do gjejmë zgjidhje apo nuk do e gjejmë. Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh. Unë do vij të paraqitem këtu se më thanë të paraqitem. Te procesi i parë sa kam qenë i akuzuar, atje kam qenë nën një pozicion tjetër, sot kam qenë në një pozicion tjetër. Sot ishte seancë miqësore dhe mu drejtua gjyqtari miqësisht, korrektësisht më pyeti për datën e ardhshme që mos të kisha unë problem, gjetëm një zgjidhje për datën e ardhshme. Thjesht tani po iki me kokën mbrapa se duhet të vij prapë, edhe herën tjetër duhet të gjej një veshje tjetër se s’mund të vij prapë me këtë veshje. Nuk do vijmë tani me të njëjtën veshje, e vesh dhe dy herë, por jo te kjo seancë, kupton”, tha reperi.
Cllevio nuk i kurseu ironitë dhe batutat edhe jashtë sallës së gjyqit, duke e kthyer deklaratën e tij në një miks mes kritikës dhe humorit.
Ai gjithashtu foli pozitivisht për institucionet e drejtësisë, duke vlerësuar krijimin e SPAK dhe GJKKO si një hap të rëndësishëm për sistemin shqiptar.
“SPAK dhe GJKKO shyqyr që janë krijuar, shyqyr. Këtë opinion kam, mirë që i kemi”, u shpreh ai.