Dy muaj e gjysmë pas ngjarjes tragjike ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj u gjet e vetëflijuar në një banesë në Tiranë, hetimet po marrin zhvillime të reja dhe çështja mbetet ende e mbuluar nga shumë pikëpyetje.
A2 CNN ka mësuar se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur prej rreth dy javësh verifikime ndaj Komisariatit nr. 2 në Tiranë, duke u fokusuar te mënyra se si është trajtuar dhe hetuar fillimisht ngjarja. Dyshimet paraprake lidhen me mungesë vëmendjeje dhe neglizhencë në veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Përveç ish-bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi – i shpallur në kërkim për “shkaktim të vetëvrasjes” – hetuesit dyshojnë se në këtë histori mund të jenë të përfshirë ose të kenë dijeni edhe persona të tjerë, të cilët mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të plota të ngjarjes. Sipas të njëjtave burime, telefoni i viktimës ende nuk është analizuar plotësisht, ndërsa pajisja e shoqes së saj, me të cilën ajo jetonte, nuk është sekuestruar. Kjo e fundit mësohet se ka dhënë vetëm një deklaratë fillestare në spital dhe më pas nuk është marrë sërish në pyetje.
Familjarët e Xhuanës pretendojnë se shoqja e saj e nxiste vazhdimisht për t’u takuar me Eraldo Fizit, duke e kontaktuar në mënyrë të përsëritur. Ata thonë gjithashtu se edhe motrat e viktimës kanë qenë në dijeni të përpjekjeve të vazhdueshme të Eraldos për ta takuar atë.
Pas ngjarjes, policia kontrolloi banesën dhe deklaroi se nuk kishte gjetur substancën helmuese fosfokse (fostoksinë). Megjithatë, dy ditë më vonë familjarët, gjatë marrjes së sendeve personale të Xhuanës, raportuan se e gjetën substancën në banesë dhe njoftuan policinë, e cila u rikthye për verifikime të mëtejshme. Ky episod ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e kryerjes së kontrollit fillestar dhe nëse materiali ka qenë aty që në fillim pa u konstatuar.
Sipas të dhënave të familjes, autopsia ka evidentuar shenja dhune në trupin e viktimës, të cilat pretendohet se janë të dukshme edhe në fotot që ata disponojnë. Dyshohet se natën e ngjarjes, Eraldo Fizi e ka marrë Xhuanën dhe e ka dërguar fillimisht në Shëngjin, ku dyshohet se ka ndodhur edhe dhunimi, ndërsa në dijeni të situatës mund të ketë qenë edhe shoqja e saj. Më pas, ata janë kthyer në Tiranë.
Ngjarja merr edhe një tjetër detaj: automjeti i Eraldo Fizit është gjobitur rreth orës 03:00 të mëngjesit pranë ish-sheshit “Shqiponja” për tejkalim shpejtësie. Pas kësaj, ai dyshohet se e ka dërguar Xhuanën në banesën ku ajo jetonte me qira me shoqen e saj, ndërsa të nesërmen ajo u gjet e pajetë.
Eraldo Fizi vijon të jetë në arrati, ndërsa policia ka dështuar disa herë në përpjekjet për arrestimin e tij.