Ministri i Ramës ‘i shkakton dridhje gjunjësh’ Putinit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.05.2026, 14:52

Ferit Hoxha duket se i ka “dridhur gjunjët” Kremlinit me deklaratën e tij të fundit, duke i bërë të qartë Vladimir Putinit se Shqipëria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. Pas paralajmërimeve të Rusisë për diplomatët e huaj në Kiev, ministri shqiptar reagoi me tone të forta në rrjetin “X”, duke e cilësuar veprimin e Moskës si intimidim dhe shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare.

Në deklaratën e tij, Hoxha theksoi se “Shqipëria nuk do të tërhiqet”, një mesazh që me siguri ka trazuar korridoret e Kremlinit, aty ku zakonisht shqetësimet kryesore lidhen me NATO-n, sanksionet dhe tashmë edhe “ultimatumin diplomatik” nga Tirana. Ministri nënvizoi se kërcënimi ndaj ambasadave nuk është diplomaci, por presion politik, ndërsa shtoi se personeli shqiptar do të vijojë të qëndrojë në Kiev.

Mes tensioneve të luftës, reagimi i Tiranës u interpretua si një tjetër sinjal se Shqipëria nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs në raport me Ukrainën. Ndërsa fuqitë e mëdha përplasen në tavolina negociatash e fronte lufte, Tirana vendosi t’i kujtojë Moskës se edhe një vend i vogël mund të flasë me tone të mëdha. Të paktën në rrjetet sociale, ku diplomacia moderne matet me postime, reagime dhe “like”.

Postimi në “X” i ministrit Hoxha:

Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm.

Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi.

Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.

Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit