Pesë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Dubai në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet në Abu Dhabi.
Në pranga kanë rënë Kristo Qirici, Shkëlzen Kraja, Ilir Lazri, Aleks Pepaj dhe Merxhan Celiku, të cilët prej kohësh qëndronin të fshehur në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa ndaj tyre kanë nisur procedurat për ekstradim drejt Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, katër prej tyre dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale të trafikut të narkotikëve, ndërsa Merxhan Celiku akuzohet për mashtrim kompjuterik.
Emri më i njohur mes të arrestuarve është ai i Kristo Qiricit, i cili së bashku me Eldjan Allushin konsiderohen nga SPAK si drejtues të një grupi kriminal që vepronte në Sarandë dhe trafikonte drogë drejt Greqisë dhe vendeve të tjera.
Në kuadër të hetimeve ndaj këtij grupi, SPAK ka sekuestruar më herët rreth 90 pasuri me vlerë miliona euro. Bëhet fjalë për hotele, vila, apartamente, biznese, toka dhe dhjetëra llogari bankare të shpërndara kryesisht në Sarandë, Tiranë dhe Dhërmi.
Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal dyshohet se kultivonte kanabis në zonën e Sarandës gjatë viteve 2019-2021 dhe më pas e trafikonte drejt Greqisë.
Në dosje janë përfshirë edhe emra zyrtarësh policie. SPAK dyshon se grupi është ndihmuar nga disa drejtues policie, ku dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa një tjetër vijon të jetë në kërkim.