Momente paniku janë regjistruar mbrëmjen e sotme në lagjen Ali Demi në Tiranë, ku një zjarr ka rënë në një pallat në kompleksin “Kadiu”, duke shkaktuar frikë dhe evakuim të banorëve.
Sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, flakët dyshohet se kanë nisur nga një shkëndijë elektrike, ndërsa tymi ka pushtuar ambientet e pallatit, duke vënë në rrezik banorët, mes tyre shumë familje të reja me fëmijë.
Banorët tregojnë se alarmi i pallatit është aktivizuar, janë fikur dritat dhe shumë persona kanë dalë me nxitim nga banesat për shkak të frikës dhe tymit të dendur.
Sipas tyre, situata u bë edhe më dramatike për shkak të mungesës së aksesit për mjetet e emergjencës. Qytetarët denoncojnë se rrugët brenda kompleksit janë jashtë çdo standardi dhe e bëjnë pothuajse të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikëses apo ambulancës në raste emergjente.
“Ajo që e bën më të tmerrshme situatën është kur zjarrfikësja nuk futet dot për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të bllokuar nga tymi. Rrugët këtu janë bërë jashtë çdo standardi për emergjencat”, shprehet një banore për JOQ Albania.
Një tjetër qytetare thotë se ambulanca hasi vështirësi në manovrim për shkak të mungesës së hapësirës, ndërsa problematika sipas saj vazhdon prej kohësh në këtë zonë të mbushur me pallate të reja.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, zjarri dyshohet se ka përfshirë kabinën e automateve elektrike, ndërsa raportohet se një vajzë ka pësuar asfiksi nga tymi dhe është shoqëruar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Fatmirësisht, zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë flakët, ndërsa ende nuk ka një informacion zyrtar mbi numrin e të lënduarve apo dëmet e shkaktuara.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të garantuar standarde sigurie dhe akses për mjetet e emergjencës, pasi sipas tyre, një ngjarje edhe më e rëndë mund të përfundojë në tragjedi.