Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar i revoltuar në Tiranë, i cili ngre shqetësimin për ndotjen ekstreme të ajrit që po shkaktohet nga punimet në një kantier ndërtimi në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, pas Shkollës së Kuqe.
Në videon e dërguar nga qytetari shihet një skavator që punon mes një reje të dendur pluhuri dhe tymi, duke mbuluar të gjithë zonën e banuar përreth. Sipas denoncuesit, nuk është marrë as masa minimale për të reduktuar ndotjen, si përdorimi i pompave të ujit apo izolimi i kantierit, ndërsa banorët detyrohen të thithin çdo ditë ajër të ndotur.
“JOQ, shiko ça bëhet! Punojnë, bëjnë pallate dhe këtë pluhurin nuk e kam idenë fare se kush do ta thithi. Duhet t’ia dërgojmë secilit nga qeveritarët këtë lloj pluhuri te shtëpia, te fëmijët e vet, te kalamajtë e vet. Pa përdorur pompa uji, pa marrë asnjë masë për të minimizuar pluhurin!”, shprehet qytetari në video.
Më tej ai denoncon se situata është kthyer në problem serioz pothuajse në çdo cep të Tiranës, ku ndërtimet masive po zhvillohen pa standarde dhe pa asnjë kujdes për jetën dhe shëndetin e banorëve.
“Përveç pluhurit, mjetet e tonazhit të rëndë kanë shkatërruar edhe rrugicën ku kalojnë. Është bërë gjithë gropa dhe disnivele nga kamionët”, shkruan ai.
Ndotja e ajrit mbetet një nga problemet më të rënda në Shqipëri, ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar prej vitesh se mijëra qytetarë preken çdo vit nga sëmundje që lidhen me cilësinë e dobët të ajrit. Pavarësisht kësaj, në shumë kantiere ndërtimi vazhdohet puna pa respektuar as rregullat më bazike për mbrojtjen e ambientit dhe të komunitetit përreth.