Teksa SPAK ka ngritur lupën për dosjet e nxehta të infrastrukturës, Bashkia e Tiranës duket se nuk e ka ndërprerë traditën e dhurimit të tenderëve për personat e lidhur me pushtetin pavarësisht se kryetari ndodhet pas hekurave.
Nuk dihet norma e influencës së tij në vendimmarrje për fituesit e pazareve të talsave publike të tironsave, por e sigurt që punëmbaruara Anuela Ristani luan rolin e sekseres.
Një dokument i siguruar së fundmi nga Open Data tregon se tenderi për "Ndërtimin e Rrugës Arben Mekshi dhe Joklin Persi" në Tiranë ka përfunduar sërish në duart e atyre që janë kthyer në kontraktorët e preferuar.
Sipas të dhënave, fitues i këtij tenderi është shpallur bashkimi i operatorëve "MF Invest Group" dhe "Alko Impex Construction", me një ofertë me mbi 500 milionë lekësh.
Emri i Arbër Abazit, administratorit të "Alko Impex Construction", nuk është i panjohur për drejtësinë dhe opinionin publik. Abazi, i njohur si nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe familjar i afërt (dhëndër) i zv.kryeministres Belinda Balluku, është një emër i lakuar shpesh në media për lidhjet e tij të forta me tenderët publikë.
Kujtojmë se Arbër Abazi ka qenë objekt i kontrolleve të SPAK-ut në zyrat dhe banesën e tij, pikërisht për lidhjet e dyshimta të tenderëve me ish-ministren e infrastrukturës, Belinda Balluku, vajzën e tezes së bashkëjetueses së tij. Pavarësisht hetimeve dhe zhurmës mediatike, duket se kjo nuk e ka ndaluar biznesmenin që të vazhdojë të marrë fonde publike nga institucionet kryesore të vendit në shkelje të ligjit.
Dokumenti i tenderit të Bashkisë së Tiranës tregon se në garë kanë marrë pjesë 27 operatorë ekonomikë. Megjithatë, siç ndodh rëndom në këto procedura, në fund fituesi është sërish një kompani që lidhet me "sistemin". Për qytetarët, kjo është një tjetër provë se si paratë e taksave të tyre përfundojnë në xhepat e klientëve të pushtetit, ndërsa institucionet vazhdojnë të mbyllin sytë para konfliktit të interesit.
