Aktorja fituese e çmimit Oscar, Lupita Nyong’o, ka reaguar ndaj valës së sulmeve raciste në rrjetet sociale pas përzgjedhjes së saj në filmin e ri të Christopher Nolan, "The Odyssey".
Në këtë përshtatje të kryeveprës së Homerit, që pritet të shfaqet në kinema më 17 korrik, Nyong’o do të luajë një rol të dyfishtë: atë të Helenës së Trojës dhe motrës së saj, Klitemnestrës. Vendimi ngriti reagime të ashpra nga përdorues të shumtë online, të cilët argumentonin se një aktore me ngjyrë nuk mund të luante gruan më të bukur të botës antike.
Në një intervistë për revistën Elle, Nyong’o i uli tonet e debatit duke theksuar se bëhet fjalë për një tregim mitologjik dhe se kasti i filmit, ku përfshihen edhe Matt Damon, Anne Hathaway e Zendaya, është thjesht përfaqësues i botës sonë.
Ajo shtoi se nuk ka ndërmend të shpenzojë kohë duke u mbrojtur, pasi kritikat do të ekzistonin gjithsesi. Regjisori Christopher Nolan doli gjithashtu në mbrojtje të saj, duke deklaruar se Lupita ishte zgjedhja e tij e parë dhe se ajo sjell në rol një forcë dhe dinjitet të jashtëzakonshëm.
Në mesin e kritikëve më të ashpër ishte miliarderi Elon Musk, i cili e akuzoi regjisorin se ka humbur integritetin, duke shkuar deri aty sa të shkruante se Nolan po "përdhos varrin e Homerit" dhe se është një "racist anti i bardhë". Në krah të aktores doli edhe ylli i Hollywood-it, Alec Baldwin, i cili i u përgjigj Musk-ut përmes një postimi në Instagram, ku afirmonte se Nyong’o është vërtet gruaja më e bukur në botë.