Një situatë shqetësuese po denoncohet nga qytetarët në zonën e Dhërmiut, ku pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, tregojnë ndërhyrje të dukshme me mjete të rënda në faqen e malit.
Në video dhe foto shihen sipërfaqe të mëdha të terrenit të zhveshura, mes gjelbërimit karakteristik të zonës, duke ngritur shqetësime për dëmtimin e peizazhit natyror në një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit.
Sipas denoncimeve të banorëve të zonës, gjatë punimeve baza dhe mbetjet e materialeve po hidhen direkt në përrua. Kjo, sipas tyre, mund të sjellë pasoja serioze për mjedisin, duke ndikuar në bllokimin e përroit, dëmtimin e ekosistemit dhe rritjen e rrezikut për erozion në zonë.
Banorët shprehen se situata është bërë shqetësuese dhe kërkojnë reagim dhe sqarime nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, ndërhyrjet në terren dhe hedhja e materialeve inerte në përrua po vijojnë pa kontroll, ndërsa mungesa e ndërhyrjes institucionale po rrit shqetësimin në komunitet.
Ata kërkojnë që autoritetet përkatëse të bëjnë verifikimet në terren dhe të japin përgjigje të qarta mbi ligjshmërinë e punimeve, si dhe të merren masa nëse konstatohen shkelje.
Dhërmiu, i konsideruar prej vitesh si një nga perlat e rivierës shqiptare, po përballet gjithnjë e më shpesh me zhvillime të shpejta urbane, të cilat shpesh shoqërohen me debate të forta mbi ndikimin në mjedis dhe ekuilibrin mes ndërtimit dhe natyrës.