Një ngjarje krejtësisht e pazakontë dhe e frikshme ka ndodhur në qendër të Selanikut, në Greqi, ku një sorrë agresive ka sulmuar kalimtarët, duke lënë të lënduar tre persona.
Gjithçka ka nisur në "Rrugën Olimpiados", kur shpendi ka fluturuar me egërsi drejt njerëzve në trotuar. Siç raportojnë mediat lokale, arsyeja e këtij sulmi të tërbuar ishte instinkti i amësisë: sorra po përpiqej me çdo kusht të mbronte zogjtë e saj, të cilët në rrethana ende të panjohura kishin rënë nga foleja dhe ndodheshin në tokë.
Sipas dëshmitarëve, sapo një nga kalimtarët u afrua pa vetëdije pranë pikës ku ndodheshin zogjtë, shpendi u lëshua mbi të duke e goditur me kthetra në kokë dhe fytyrë. I njëjti fat i priti edhe dy persona të tjerë që ndodheshin aty pranë.
Të tmerruar nga skena, banorët e zonës dhe punonjësit e një supermarketi fqinj tentuan të ndërhynin dhe njoftuan menjëherë autoritetet, por këtu nisi një "ping-pong" qesharak burokratik:
Policia u shpreh e paaftë për të ndërhyrë dhe i udhëzoi qytetarët të flisnin me Bashkinë.
Bashkia, nga ana tjetër, deklaroi se nuk ishte përgjegjësi e saj dhe u tha të telefononin një organizatë për mirëqenien e kafshëve.
Ndërsa institucionet ia jepnin fajin njëra-tjetrës, situatën në dorë e mori një biznesmen vendas. I veshur me një helmetë motoçiklete në kokë për t'u mbrojtur nga sqepi i mprehtë i sorrës dhe i armatosur me një fshesë, ai arriti t'i afrohej zogut të vogël.
Tregtari e futi zogun me kujdes në një kuti kartoni dhe e transportoi në një park të vogël aty pranë, duke e lënë në një hapësirë të hapur ku nëna e tij mund ta gjente pa rrezikuar më jetën e kalimtarëve.
Sa i përket tre të plagosurve, raportohet se ata ndodhen jashtë rrezikut dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Fatmirësisht, gërvishtjet dhe plagët e tyre të vogla u trajtuan menjëherë në vendngjarje nga një farmacist i zonës, duke bërë që ky "film horror" në rrugët e Selanikut të mbyllej pa pasoja të rënda.