Një emigrant shqiptar që jeton prej 5 vitesh në Angli i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një fenomen shqetësues që sipas tij po përhapet gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale, ku persona anonimë publikojnë foto dhe video të qytetarëve me mbishkrime denigruese apo të rreme, e më pas kërkojnë para për t’i fshirë.
Sipas denoncuesit, një person që është prezantuar me emrin “Klevis Hoxha” nga Lushnja, prej kohësh merret me publikimin e fotove të personave të ndryshëm në TikTok, duke i shpallur në mënyrë të rreme si të vdekur apo duke postuar familjarët e tyre me përmbajtje bullizuese dhe fyese.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, emigranti shprehet se fillimisht është publikuar vetë ai me pretendimin se kishte ndërruar jetë, ndërsa më pas janë publikuar edhe foto të familjarëve të tij me mbishkrime denigruese.
Ai pretendon se nuk është rasti i vetëm dhe se dhjetëra familje të tjera janë bërë objekt i të njëjtës skemë bullizimi dhe shantazhi në rrjetet sociale.
“Jam emigrant në Angli prej 5 vitesh. Dje më publikoi sikur kam vdekur dhe sot po nxjerr familjarët e mi në TikTok. Nuk jam vetëm unë që po bullizohem. Ka shumë persona të tjerë që i publikon dhe i shpall të vdekur. Kërkoj që autoritetet të reagojnë para se situata të përshkallëzohet”, shprehet ai.
Denoncuesi thotë gjithashtu se personi në fjalë u kërkon para qytetarëve në këmbim të fshirjes së postimeve. Ai pretendon se ka paguar rreth 300 paund për të shmangur publikimet, ndërsa shton se familjarët e tij ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike.
Nga komunikimet me redaksinë, vetë denoncuesi pranon se nuk ka siguri absolute nëse identiteti dhe fotografia e personit të prezantuar si “Klevis Hoxha” janë reale, pasi persona që merren me aktivitete të tilla mund të përdorin identitete apo foto të individëve të tjerë.
Rasti ngre edhe një herë nevojën për reagim nga institucionet ligjzbatuese ndaj profileve që përdorin rrjetet sociale për të ushtruar presion psikologjik, përhapur informacion të rremë dhe për të përfituar para nëpërmjet frikësimit apo poshtërimit të qytetarëve.