Një vit më parë, më 22 maj 2025, u prezantua me pompozitet projekti “Dukagjini Resort”, një tjetër “investim strategjik” që premtonte luks, vila, hotel dhe kazino në zemër të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Pas fasadës së zhvillimit turistik, shumëkush pa një tjetër episod të njohur shqiptar: tokë publike falas, beton mbi natyrën dhe oligarkë që trajtohen si pronarë të vijës bregdetare. Në krye të projektit qëndronte Korab Lluka, djali i biznesmenit kosovar Ekrem Lluka, përmes kompanisë “Dukagjini Group”.
Me vendim të qeverisë shqiptare, kompanisë iu dhanë 5.9 hektarë tokë shtetërore në zonën “Mali i Rencit”, ndërsa investimi prej 70 milionë eurosh u shpall strategjik pa shumë pyetje publike mbi burimin e financimit. Ndërkohë, emri i Ekrem Llukës dhe bashkëpunëtorëve të tij është përmendur në akuza dhe raportime për skema financiare të dyshimta në Kosovë, ndërsa projekti në Shëngjin u pa nga kritikët si një tjetër mekanizëm për betonizimin e bregdetit dhe riciklimin e kapitaleve të errëta nën petkun e “zhvillimit”.
Sot, një vit më pas, Rana e Hedhun mbetet simboli i mënyrës sesi “investitorët strategjikë” hyjnë në zonat më të paprekura të vendit me bekimin e shtetit, ndërsa qytetarëve u mbeten vetëm pamjet e dikurshme të natyrës. Mes premtimeve për turizëm elitar dhe kullave që mbijnë mbi rërën e Adriatikut, pyetja mbetet e njëjtë, sa zhvillim ka realisht Shqipëria dhe sa territor po i dorëzohet oligarkisë në emër të tij?
Përflitet se Lluka ka qenë oligarku i preferuar i Millosheviçit, ish-presidentit serb dhe ka kontrabanduar cigare me vëllain e këtij të fundit, sot i “dalë në pension”. Edhe sot thuhet se vëllai i Millosheviçit paguhet dhe merr dividentë nga bizneset e Ekrem Llukës, si ortak i paligjshëm me të në disa kontrabanda dhe biznese në Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje.