Një histori e mbushur me shpresë për disa ditë përfundoi tragjikisht për Rudi Simanetën, punëtorin 60 vjeçar me origjinë shqiptare që jetonte në Broni, Itali.
Ai humbi jetën pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra në një aksident në vendin e punës në zonën e Lungavillas, në provincën e Pavias, në Itali.
Ngjarja ndodhi në një fermë në Cascina Americana, ku ai ishte i angazhuar me punë mirëmbajtjeje në një magazinë. Për të arritur pjesën e sipërme të strukturës, dyshohet se është ngjitur në pajisjen ngritëse të një piruni mekanik.
Në një lartësi rreth tre metra, ai humbi ekuilibrin dhe ra në tokë, duke pësuar dëmtime serioze në kokë. Koleget e gjetën menjëherë në gjendje të rëndë dhe pa ndjenja.
Shërbimet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje dhe tentuan reanimimin e tij, ndërsa më pas u transportua me helikopter në spitalin “San Matteo”. Pavarësisht trajtimit intensiv, gjendja e tij nuk u përmirësua dhe ai ndërroi jetë disa ditë më vonë.
Autoritetet italiane, përfshirë karabinierët dhe inspektorët e shëndetësisë në punë, kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të parë nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në vendin e punës.
Sipas hetimeve paraprake të raportuara nga mediat lokale, nuk përjashtohet mundësia e një gabimi njerëzor.
Nga ana tjetër, sindikatat kanë reaguar duke theksuar se raste të tilla nuk duhet të trajtohen si fatkeqësi të rastësishme, por si sinjal alarmi për mungesat në sigurinë në punë. Ato kërkojnë më shumë masa parandaluese dhe përgjegjësi më të fortë nga institucionet dhe punëdhënësit.