Vëllai i kryebashkiakut të Tepelenës, Tan Sako me ortakun oligark Hamzin do ngrenë kullë 27 kate në Tiranë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 21.05.2026, 20:34

Një leje ndërtimi për një kullë të re në zemër të Tiranës ka rikthyer në vëmendje lidhjet mes politikës dhe biznesit të ndërtimit.

Sipas dokumentacionit të publikuar, vëllai i kryebashkiakut të Tepelenës, Gramoz Sako, ka përfituar leje për ndërtimin e një kulle 27-katëshe në kryeqytet, miratuar në nivel qeveritar nga kryeministri Edi Rama.

Objekti është planifikuar në zonën e Bulevardit të Ri në Tiranë, ndërsa kufizohet në jug nga rruga “Siri Kodra”. Projekti përshkruhet si një zhvillim i madh urban, me volum të konsiderueshëm ndërtimi si në sipërfaqe ashtu edhe në lartësi, duke përfshirë dy pika dominimi vertikal dhe një shfrytëzim maksimal të truallit.

Në qendër të projektit qëndron kompania “2T”, e lidhur sipas të dhënave me Artan Sakon, vëllain e Gramoz Sakos, i cili ka shërbyer më herët si komandant i Gardës së Republikës dhe aktualisht mban detyrën e kryebashkiakut të Tepelenës. Në ortakëri në këtë kompani figuron edhe Dritan Troksi, i përshkruar si mik i hershëm i familjes Sako.

Ndërtimi i kullës do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë “Be – Is”, në pronësi të Hamz Islamajt, një emër i njohur në sektorin e kontratave publike. Sipas të dhënave, kompania e tij ka përfituar ndër vite dhjetëra milionë euro në tendera publikë, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, përpara se të zgjerohej në sektorin e kullave dhe ndërtimit privat.

Të dy kompanitë, “2T” dhe “Be – Is”, janë përmendur më herët në raportime mediatike si përfituese të procedurave të mëdha të prokurimit publik, shpesh të lidhura me institucione nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sako, ashtu edhe Islamaj, konsiderohen figura të afërta me rrjete biznesi të lidhura me qeverinë, për shkak të angazhimeve të tyre në projekte infrastrukturore dhe ndërtimore në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit