Një nga avionët që ka fluturuar për një kohë të gjatë nën logon e kompanisë shqiptare “Air Albania” ka përfunduar tashmë në duart e një linje ajrore ruse. Bëhet fjalë për Airbus A320, i njohur me emrin "Fishta W", i cili ka kaluar në pronësi të kompanisë ruse “North-West Air Company” dhe ka mbërritur në Moskë më 15 maj të këtij viti, duke marrë regjistrimin e ri rus RA-73899.
Sipas të dhënave të siguruara nga baza e specializuar e aviacionit "Planespotters", ky Airbus A320-232 me numër serial 4934 është prodhuar në vitin 2011 dhe fillimisht ka operuar për "Etihad Airways". Më vonë, në vitin 2022, ai kaloi në pronësi të kompanisë amerikane të lizingut "GA Telesis", ndërsa nga marsi i vitit 2023 u mor me qira nga “Air Albania”, duke fluturuar në qiellin shqiptar me regjistrimin ZA-MMK.
Udhëtimi i tij i fundit komercial me ngjyrat e Shqipërisë u regjistrua më 22 korrik 2024. Të nesërmen e atij fluturimi, avioni u dërgua drejt Stambollit ku qëndroi i bllokuar në hambarë për disa kohë, derisa gjatë vitit 2025 iu kthye zyrtarisht pronarit të tij të ligjshëm.
Skema e kalimit të këtij avioni drejt Rusisë tregon një itinerar të mirëpërcaktuar përmes vendeve të treta. Më 14 prill 2026, avioni fluturoi nga Stambolli drejt Muscat-it në Oman, dhe fiks një muaj më vonë, më 15 maj, kreu fluturimin e fundit të dorëzimit drejt aeroportit "Vnukovo" të Moskës. Lajmi u pikas fillimisht nga kanali i specializuar në Telegram, "Aviation Mezzanine", dhe u konfirmua më pas nga ndryshimet e regjistrimit në "Planespotters".
Ky rast nxjerr zbuluar mënyrën se si linjat ajrore ruse po arrijnë të anashkalojnë sanksionet e rrepta perëndimore. Që nga nisja e luftës në Ukrainë, Rusisë i është ndaluar rreptësisht blerja e avionëve të rinj Airbus apo Boeing, marrja e tyre me qira, si dhe furnizimi me pjesë këmbimi apo shërbime mirëmbajtjeje nga Perëndimi. Megjithatë, përmes ndërmjetësve dhe transaksioneve që përfshijnë vende si Turqia dhe Omani, kompanitë ruse si “North-West Air Company”, e cila në vitin 2024 shtoi në flotë edhe një tjetër Airbus A320neo, po arrijnë të sigurojnë mjete fluturimi perëndimore.