Hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duket se kanë hyrë në një tjetër fazë, pasi SPAK ka zgjeruar verifikimet edhe mbi rrethin e tij familjar dhe aktivitetet financiare të lidhura me ta. Në qendër të hetimeve më të fundit raportohet të jetë vëllai i tij, Arbër Veliaj, si dhe kompania “Gogël”, për të cilën prokurorët kanë kryer kontrolle dokumentacioni dhe analiza të transaksioneve financiare.
Burime pranë organit të posaçëm bëjnë me dije se gjatë së enjtes janë marrë në pyetje disa persona në kuadër të kësaj dosjeje, ndërsa për më shumë se dy orë ka dhënë deklarime edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Sipas informacionit paraprak, Bushka është pyetur lidhur me lëvizje financiare dhe aktivitetin ekonomik të kompanive të lidhura me familjarët e Veliajt. Ajo rezulton tashmë e pandehur në çështjen e njohur si “Veliaj 1”, ku akuzohet për pengim të drejtësisë.
Në dosjen hetimore përmendet edhe episodi me dëshmitaren Ina Goxhaj, për të cilin SPAK dyshon se Bushka ka ushtruar presion që ajo të mos dëshmonte kundër Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Hetuesit pretendojnë gjithashtu se asaj i është marrë telefoni dhe është zëvendësuar me një tjetër pajisje, çka ka rënduar pozitën procedurale të ish-deputetes.
Ndërkohë, ndaj Veliajt dhe Xoxës vijojnë hetimet për një sërë akuzash të rënda, mes tyre korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryebashkiaku i Tiranës po hetohet gjithashtu edhe për shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të paligjshme në ambientet e burgut.
Zhvillimet e fundit vijnë në një moment kur Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese po shqyrtojnë kërkesat e Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.