Banorët e zonës së Borakës, në Bashkinë e Shijakut, kanë ngritur shqetësimin e tyre për një shtyllë të rrjetit elektrik e vendosur pranë rrugës, pak pasi kalon Sukthin.
Ata thonë se shtylla është e mbingarkuar me kabuj të energjisë elektrike dhe mund të përbëjë rrezik për kalimtarët dhe automjetet që qarkullojnë në zonë pasi është gati duke u rrëzuar.
Banorët shprehen të shqetësuar se mungesa e ndërhyrjes mund të sjellë probleme sigurie, sidomos në kushte të këqija moti ose trafiku të shtuar.
Ata i bëjnë thirrje OSHEE që të inspektojë situatën sa më parë dhe të marrë masa për sigurimin e infrastrukturës në këtë segment rrugor.