Banorët e rrugës “Fortuzi” janë ankuar në redaksinë tonë për zhurmat e vazhdueshme që shkaktohen nga një kompani ndërtimi e cila punon gjatë orëve të natës, nga ora 20:00 deri në orët e para të mëngjesit.
Sipas raportimit të një qytetareje, situata është bërë shqetësuese për familjet e zonës, veçanërisht për ata që kanë fëmijë të vegjël.
“Kemi kohë që na ka marrë malli të flemë gjumë të qetë. Është një kompani ndërtimi që punon nga ora 8 e darkës deri në orët e para të mëngjesit. Jemi me fëmijë të vegjël dhe kemi rënë në hall”, shprehet qytetarja.
Ajo shton se banorët kanë njoftuar edhe Policinë e Shtetit, por pretendon se deri më tani nuk ka pasur reagim nga autoritetet.
Banorët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të rikthyer qetësinë në zonë.