Bashkëshortja e aktivistit shqiptar Baki Goxhaj, Eriselda Balliu, ka kërkuar reagim më të fortë nga institucionet shqiptare pas publikimit të pamjeve të para të aktivistëve të ndaluar nga autoritetet izraelite.
Në një mesazh drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ajo shpreh shqetësim të thellë për gjendjen dhe sigurinë e bashkëshortit të saj.
Balliu thekson se ka marrë informacione sipas të cilave ndaj varkës ku ndodheshin aktivistët janë përdorur plumba plastikë, çka ka rritur frikën për gjendjen shëndetësore të Goxhajt. Ajo kërkon që shteti shqiptar të intensifikojë përpjekjet diplomatike për të siguruar sa më shumë informacion mbi fatin e tij.
“Pres që përfaqësuesit e shtetit shqiptar të tregohen më këmbëngulës për të mësuar mbi gjendjen e Bakiut dhe atë që ka ndodhur me të”, shprehet ajo në mesazhin e saj.
Në reagimin e saj, Eriselda Balliu kërkon gjithashtu që Ministria e Jashtme të mbajë një qëndrim zyrtar lidhur me mënyrën se si, sipas saj, janë trajtuar publikisht aktivistët e ndaluar, duke e cilësuar situatën si abuzive dhe poshtëruese.
Megjithëse falënderon ambasadën shqiptare për komunikimin e deritanishëm, ajo bën thirrje për më shumë presion diplomatik me qëllim zbardhjen e fatit të Baki Goxhaj dhe lirimin e tij sa më shpejt.