Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësoreje ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas. Ngjarja e rëndë është regjistruar në vendin e njohur si “Ura e Spatharit”, ku një e moshuar ka mbetur viktimë e një përplasjeje të fortë rrugore.
Sipas të dhënave të siguruara nga vendngjarja, viktima është identifikuar si shtetasja Heidije Bajrami, rreth 65 vjeçe. Ajo po tentonte të kalonte rrugën kur është goditur nga një automjet tip “Toyota” me targa AA 209 JX, i cili drejtohej nga shtetasi Xheladin Omeri. Goditja ka qenë mjaft e fortë, duke i shkaktuar 65-vjeçares plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit.
Menjëherë pas aksidentit, e moshuara është transportuar me urgjencë nga dëshmitarët dhe autoambulanca drejt spitalit bashkiak të Librazhdit me shpresën për t'i shpëtuar jetën. Megjithatë, për shkak të dëmtimeve të rënda, ajo nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka mbërritur pa shenja jete në ambientet e urgjencës së spitalit.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor për të kryer ekspertizën dhe për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve. Uniformat e blu kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit, Xheladin Omeri, i cili po merret në pyetje me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident tragjik.